Rreth Biblës
Bibla përbëhet nga dy pjesë që quhen Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri. Fjala «testament», do të thotë një deklaratë apo një besëlidhje, ose në disa raste, një porosi e fundit para vdekjes. Siç përdoret këtu, kjo fjalë nënkupton besëlidhjen apo premtimin me të cilin Perëndia e ka lidhur Veten në marrëdhënie me njerëzimin. Besëlidhja ose premtimi i shpëtimit që Perëndia na ka dhënë, është bazuar në vdekjen e Jezu Krishtit në kryq. Na premtohet se Perëndia na shpëton nëpërmjet Jezusit dhe na bën trashëgimtarë të Mbretërisë së Tij të Qiejve. Besimtarët në Krishtin janë të sigurt se mëkatet e njerëzimit janë hequr përgjithmonë nëpërmjet vdekjes së Jezusit në kryq; se Jezusi, Biri i Perëndisë, i cili lindi në tokë rreth 2 000 vjet më parë, mori mbi Vete, në vend të njeriut dhe si zëvendësuesi i tij, ndëshkimin që meriton ai njeri i cili mëkaton. Kjo do të thotë që mëkatet tona mund të falen dhe që ne mund të besojmë në premtimin e Perëndisë, lajmin e mrekullueshëm se mund të marrim jetën e përjetshme të cilën na e ofron Perëndia. Është lajmi i mirë i këtij premtimi, ai që përbën zemrën e mesazhit të Biblës. Besëlidhja e shkruar përpara Krishtit quhet Testamenti i Vjetër dhe besëlidhja e shkruar pas Krishtit quhet Testamenti i Ri. Testamenti i Vjetër, i përqendruar rreth kombit jude, ka si autorë shumë shkrues midis viteve 1500 dhe 400 para Krishtit dhe përbëhet nga 39 libra që përmbajnë historinë, ligjet, profecitë, poezitë dhe këngët e kombit të tyre. Mesazhi i mbretërisë së re të Perëndisë dhe ardhja e Krishtit përsëriten në shumë profeci. Testamenti i Ri shpjegon faktet se si këto profeci për Krishtin u përmbushën në Jezusin dhe jep mësim për shpëtimin që Ai siguron. Ai është shkruar nga dishepujt e Jezusit midis viteve 30 dhe 90 pas Krishtit dhe fillon me katër ungjijtë, që janë histori të shkurtra të jetës së Jezusit. Ndër të tjera përfshin edhe 21 letra drejtuar të krishterëve dhe përbëhet në tërësi nga 27 libra. Populli jude pranon vetëm Testamentin e Vjetër si Bibël, Fjalën e Perëndisë, të cilën ata e quajnë Ligji dhe Profetët. Të krishterët, nga ana tjetër, besojnë se edhe Testamenti i Vjetër, edhe Testamenti i Ri janë Fjala e Perëndisë. Para së gjithash, duhet të dini këtë: asnjë profeci e Shkrimit nuk vjen nga interpretimi i dikujt, sepse asnjë profeci nuk ka ardhur ndonjëherë me vullnetin e njeriut; përkundrazi, njerëz të shtyrë nga Fryma e Shenjtë, folën nga ana e Perëndisë.
2 e Pjetrit 1:20-21